Thirrje Publike për Klubet Sportive dhe OJQ-të Rinore 2025

Drejtoria për Rini dhe Sport e Komunës së Prishtinës, bazuar në Rregulloren Nr. 01-020/01-194101/18 të datës 08.08.2018 të Komunës së Prishtinës, si dhe në Rregulloren e Ministrisë së Financave Nr. 04/2017 për kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të organizatave joqeveritare, shpall:

                                                                 THIRRJE PUBLIKE

Për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projekt-propozime nga Klubet Sportive, Shoqatat dhe OJQ-të për organizimin e aktiviteteve sportive dhe rinore në Kryeqytet.
 

1. Drejtoria për Rini dhe Sport fton të gjitha klubet, shoqatat dhe OJQ-të e regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e sportit dhe rinisë, të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në zhvillimin, masivizimin e sportit dhe përfshirjen rinore, duke u bazuar në politikat programore të kësaj drejtorie.
 

2. Fushat prioritare për financim përfshijnë:

• Masivizimin e sportit;

• Ngritjen e kapaciteteve në sport;

• Organizime sportive dhe promovimin e vullnetarizmit;

• Integrimin e grupeve rinore dhe atyre të margjinalizuara;

• Fuqizimin e organizatave rinore përmes seminareve, trajnimeve dhe kurseve;

• Edukimin joformal për të rinjtë dhe të miturit.

 

3. Fondi total i planifikuar për këtë thirrje është 600,000.00 €.

Shuma minimale për një projekt: 500.00 €.

Shuma maksimale për një projekt: 12,000.00 €.

 

4. Afati për dorëzimin e propozimeve është nga 16.05.2025 deri më 30.05.2025.
 

5. Çdo aplikues mund të paraqesë vetëm një projekt.

Periudha e zbatimit të projektit është:

Deri më 31.03.2026 për klubet sportive;

• Deri më 30.11.2025 për OJQ-të rinore dhe projektet sportive.
 

6. Aplikimi bëhet vetëm online përmes sistemit: http://krs.prishtinaonline.com/

7. Vlerësimi i projekteve dhe Komisioni përzgjedhës:

Vlerësimi i aplikacioneve bëhet nga Komisioni për Vlerësim të Projekteve, i caktuar nga Drejtoria për Rini dhe Sport në përputhje me dispozitat e Rregullores Komunale për Subvencione. Komisioni është i obliguar të respektojë parimet e transparencës, barazisë dhe profesionalizmit në shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve.
 

8. Kriteret për pjesëmarrje në thirrjen publike të subvencioneve për Sport dhe Rini:

• Klubet, Shoqatat dhe OJQ-të, të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe realizojnë aktivitetin e tyre në Komunën e Prishtinës;

• Klubet, Shoqatat dhe OJQ-të, mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës;

• Klubet, Shoqatat dhe OJQ-të, të cilët nuk kanë përmbyllë raportin e subvencioneve të viteve paraprake nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Prishtinës në këtë thirrje;

• Të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete;

• Të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës;

• Klubet, Shoqatat dhe OJQ-të, nuk mund të përfitojnë me dy ose më shumë projekte nga subvencionet e Komunës së Prishtinës brenda një viti, qoftë edhe në kategori të ndryshme;

• Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë klubet dhe OJQ-të që janë të regjistruara si OJQ në regjistrin e organizatave joqeveritare në Republikën e Kosovës, po ashtu klubet të cilat janë të regjistruara si klube sportive në Komunën e Prishtinës;

• Për të gjitha projektet që planifikohet të realizohen në shkollat e Komunës së Prishtinës apo me nxënësit e shkollave të Komunës së Prishtinës, paraprakisht duhet të merret pëlqim në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) për realizimin e projektit.


9. Dokumentacioni i nevojshëm:

Për OJQ-të Rinore:
• Certifikata e regjistrimit të OJQ-së;
• Certifikata e nr. fiskal;
• Vërtetimi/Konfirmimi i llogarisë bankare të OJQ-së (nuk pranohet kopje e kartelës bankare);
• Kopjen e letërnjoftimit/pasaportës të përfaqësuesit të OJQ-së;
• Vërtetimin që OJQ nuk ka obligime tatimore (nga ATK);
• Deklaratën për financim të dyfishtë.

Për Klube/Shoqata:
• Certifikata e regjistrimit të OJQ-së;
• Certifikata e nr. fiskal;
• Vërtetimi/Konfirmimi i llogarisë bankare të OJQ-së (nuk pranohet kopje e kartelës bankare);
• Kopjen e letërnjoftimit/pasaportës të përfaqësuesit të OJQ-së;
• Vërtetimin që OJQ/klubi/shoqata nuk ka obligime tatimore (nga ATK);
• Vendimin e regjistrimit të klubit/shoqatës;
• Deklaratën për financim të dyfishtë.
 

10. Vërejtje të rëndësishme:

• Aplikimet me dokumentacion të paplotësuar do të refuzohen automatikisht.
• Dokumentet e dorëzuara pas afatit nuk do të merren në shqyrtim.
• Ndryshimi i subjektit aplikues apo i xhirollogarisë pas dorëzimit nuk lejohet.
• Të dhënat në sistem duhet të jenë të përditësuara brenda afatit të aplikimit.
• Vetëm projektet që dorëzohen brenda afatit dhe që përmbushin plotësisht kriteret e thirrjes publike do të shqyrtohen për mbështetje financiare.
 

11. Komunikimi dhe informatat shtesë:
Për çdo pyetje apo sqarim, luteni të kontaktoni përmes email-it:
📧 sportrini.pr@rks-gov.net

Veprimtaritë

Data e fillimit: 16.05.2025 00:00
Data e mbarimit: 30.05.2025 23:59